Video-Kaseta e Kujtesës Sonë

Shkruar nga :   Zac Poonen Kategoritë :   E Vërteta Themelore Kërkues
Article Body: 

Në ditët e sotme, është e mundur të regjistrohen në mënyrë të saktë skenat dhe tingujt që shohim dhe dëgjojmë rreth nesh me një video-kamera. Kur kjo video-kasetë të rishfaqet më pas në një ekran, do të portretizojë saktësisht atë që ndodhi.

Bibla thotë se po afrohet dita kur të gjithë do të duhet t'i japim llogari Zotit për veten tonë. Kur marrim në konsideratë miliarda njerëzit që kanë jetuar në këtë Tokë përgjatë shumë shekujve të historisë së njeriut, mund të pyesim veten se si Zoti mund të mbajë një regjistër të gjithçkaje që çdo njeri ka bërë, thënë dhe menduar gjatë jetës së tij. Ky regjistrim ruhet nga Zoti në kujtesën e çdo njeriu.

Kujtesa është si një video-kasetë që regjistron me besnikëri gjithçka që ne bëjmë, themi dhe mendojmë. Ajo regjistron gjithashtu qëndrimet dhe motivet tona të brendshme. Kur një njeri vdes, edhe pse lë trupin e tij pas në Tokë, kujtesa e tij, duke qenë një pjesë e shpirtit të tij, shkon bashkë me shpirtin e tij në vendin e shpirtrave të vdekur. Kur në fund të vijë Dita e Gjykimit, shpirti i tij do të bashkohet përsëri me pluhurin që dikur ishte trupi i tij në Tokë dhe do të ngrihet në një trup fizik, për të qëndruar përpara Zotit dhe për të dhënë llogari për gjithë jetën e tij në Tokë. Në këtë ditë, kur të vijë radha e secilit për t'u gjykuar, Zoti thjesht do të riprodhojë video-kasetën e kujtesës së vetë personit në një ekran dhe do ta shohë e gjithë bota. Askush nuk do të jetë në gjendje të vërë në dyshim saktësinë e kësaj shfaqjeje, sepse do të jetë vetë kujtesa që do të përsërisë regjistrimin e jetës së tij.

Mburoja e jashtme e mirësjelljes dhe fesë që njerëzit veshin sot, do të zhvishet dhe do të ekspozohet personi i brendshëm i vërtetë. Atë ditë, feja nuk do të shpëtojë askënd, sepse do të shihet qartë se të gjithë kanë mëkatuar - në çfarëdo feje që të kenë lindur ose praktikuar. As punët e mira që janë bërë, as paratë që u janë dhënë të varfërve ose institucioneve fetare nuk do të kursejnë askënd - sepse asnjë nga këto veprimtari fetare nuk mund të fshijë regjistrimin e mëkateve tona.

Ekziston VETËM NJË MËNYRË përmes së cilës regjistrimi i të këqijave që kemi bërë, thënë dhe menduar mund të fshihet përgjithmonë nga sytë e Zotit, në mënyrë që ato të mos luhen në video-kasetë në Ditën e Gjykimit. Punët tona të mira nuk mund t'i fshijnë punët tona të liga.

Jo. Asnjëherë.

Një dënim i saktë dhe i drejtë duhet të merret për mëkatet që kemi bërë. Bibla thotë se ekziston vetëm një dënim i përcaktuar në ligjin Hyjnor për mëkatin - dhe është VDEKJA E PËRJETSHME. Kjo është ajo që secili prej nesh meriton për mëkatet e tij.

Vetëm për të na shpëtuar nga ndëshkimi i vdekjes së përjetshme Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, zbriti nga Qielli në Tokë si njeri dhe vdiq në një kryq jashtë Jeruzalemit, rreth 1970 vjet më parë. Atje, Ai mori dënimin Hyjnor për mëkatet e njerëzimit - për mëkatet e TË GJITHË njerëzve, të të gjitha feve. Tri ditë pasi Ai u varros në një varr, Ai u ngrit i gjallë nga të vdekurit, duke vërtetuar se Ai ishte me të vërtetë Zoti i shfaqur në formën njerëzore dhe se Ai mund të mposhtte vdekjen - armikun më të madh të njeriut. Dyzet ditë më vonë, ndërsa shumë njerëz po e shikonin, Ai u ngjit në Qiell, duke premtuar se do të kthehej përsëri në Tokë në kohën e caktuar për të gjykuar të gjithë njerëzit. Kanë kaluar mbi 19 shekuj që kur Ai dha këtë premtim dhe tani koha e kthimit të Tij në Tokë është afruar. Një nga këto ditë ne do ta shohim Atë teksa zbret ndër qiej nga Parajsa.

Jezu Krishti ishte i vetmi në histori që vdiq për mëkatet e racës njerëzore. Ai ishte gjithashtu i vetmi që u ringjall nga të vdekurit. Në këto dy çështje, Ai është unik.

Sot, mëkatet tona mund të falen dhe të fshihen nga ajo video-kasetë, nëse ne distancohemi sinqerisht nga mëkatet tona dhe pendohemi për to, duke i kërkuar Zotit të na falë për hir të Jezu Krishtit, duke besuar se Ai vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall përsëri nga të vdekurit .

Ju mund t'i kërkoni Perëndisë Jezu Krisht tani të hyjë në jetën tuaj dhe të fshijë të dhënat e jetës suaj së kaluar mëkatare - sado të mëdha dhe të shumta të kenë qenë mëkatet tuaja. Atëherë ju mund ta filloni jetën përsëri me një regjistër të pastër dhe të jeni një fëmijë i Zotit.

Kjo është mënyra e vetme e shpëtimit që Zoti ka caktuar për racën njerëzore. Përfitoni prej saj tani. Mos harroni se e vetmja alternativë tjetër që keni është të përballeni me regjistrimin e mëkateve tuaja të luajtura nga video-kaseta e kujtesës suaj, në Ditën e Gjykimit. Duke e ditur këtë të vërtetë dhe duke kuptuar seriozitetin e gjykimit të përjetshëm në një liqen zjarri për të gjithë mëkatarët, është detyra jonë t'i paralajmërojmë me dashuri të gjithë.

Marrshi vendimin e duhur sot, pa vonesa të mëtejshme, dhe Zoti ju bekoftë me jetë të përjetshme!

Ne jua ofrojmë këtë mesazh nga Zoti, me dashuri të sinqertë.

E drejta e autorit - Zac Poonen. Asnjë ndryshim nuk mund të bëhet në përmbajtjen e artikullit pa lejen me shkrim nga autori.