Ungjilli i Vërtetë Dhe i Gabuar

Article Body: 

Në përgjithësi, të krishterët janë të kategorizuar në dy grupe, si më poshtë:

(1) "Katolikë Romakë" dhe "Protestantë" - në varësi të lindjes.

(2) "Episkopal" (konformist) dhe "Kisha e Lirë" (jo-konformiste) - në varësi të modelit të kishës.

(3) "Të rilindur të krishterë" dhe "Të krishterë nominalë" - në varësi të një "përvoje";

(4) "Ungjillorët" dhe "Liberalët" - në varësi të doktrinës.

(5) "Karizmatikë" dhe "Jo-karizmatikë" - në varësi të "gjuhës së folur".

(6) "Punëtorë të krishterë me kohë të plotë" dhe "Punëtorë laikë" - në varësi të profesionit.

Mund të ketë edhe kategorizime të tjera të ngjashme. Por asnjë nga këto kategorizime nuk merret me rrënjën e problemit që Perëndia ynë erdhi për të zgjidhur.

Shumë njerëz e dinë se "Krishti vdiq për mëkatet tona" (1 Kor.15: 3 ). Por shumë të tjerë nuk e dinë që Bibla thotë se Krishti gjithashtu vdiq "që ne të mos jetojmë më për veten tonë, por për Të" (2 Kor. 5: 15).

Një mënyrë më biblike për të kategorizuar të krishterët do të ishte: "Ata që jetojnë për veten e tyre" dhe "Ata që jetojnë për Krishtin"; ose "Ata që kërkojnë gjëra vetjake" dhe "Ata që kërkojnë gjërat e Krishtit"; ose "Ata që kërkojnë së pari gjërat tokësore" dhe "Ata që kërkojnë së pari mbretërinë e Perëndisë"; ose "Ata që duan para" dhe "Ata që duan Perëndinë". (Jezusi tha se ishte e pamundur t'i duash të dy - ( Lk. 16: 13)

Por unë nuk kam dëgjuar kurrë që të përdoret një kategorizim i tillë. Ky kategorizim ka të bëjë me jetën e brendshme të të krishterit dhe udhën e tij private me Zotin, ndërsa metodat e përmendura më parë kanë të bëjnë me detajet e jetës së tij të jashtme. Megjithatë, Qielli i kategorizon të krishterët sipas mënyrës së fundit. Dhe nëse është kështu, atëherë ky është kategorizimi i vetëm që ka rëndësi! Në këtë metodë, të tjerët nuk mund të na kategorizojnë. Ne duhet të vetë-kategorizohemi - sepse askush tjetër veç nesh nuk i njeh motivet dhe dëshirat tona të brendshme. Edhe bashkëshortet tona mund të mos jenë të vetëdijshme për çfarë po përjetojmë.

Perëndia ynë nuk erdhi kryesisht për t'u dhënë njerëzve një doktrinë, as një model kishe, as për t'i shtyrë të flasin sipas gjuhëve, as për t'u dhënë një përvojë!

Ai erdhi për të "na shpëtuar nga mëkati". Ai erdhi për të ngulur sëpatën në rrënjën e pemës. Dhe rrënja e mëkatit është: Të jemi të përqendruar tek vetja, të kërkojmë gjëra vetjake dhe të veprojmë sipas vullnetit tonë. Nëse nuk e lejojmë Perëndinë të presë dhe çrrënjosë këtë "rrënjë" nga jeta jonë, ne do të jemi të krishterë vetëm sipërfaqësisht. Sidoqoftë, Satanai mund të na mashtrojë duke imagjinuar se i përkasim një klase më të lartë se të krishterët e tjerë, për shkak të doktrinës ose përvojës sonë ose modelit tonë të kishës!

Satanait nuk i intereson nëse ne kemi doktrinën, përvojën dhe modelin e duhur të kishës, për sa kohë që vazhdojmë të "jetojmë për veten tonë" (Ky, meqë ra fjala, është vetëm një perifrazim i "të jetuarit në mëkat"!!) . Sot, krishtërimi është i mbushur me të krishterë që kërkojnë gjëra vetjake dhe jetojnë për veten e tyre, të cilët vijojnë të jenë të bindur se Zoti i sheh si superiorë ndaj të krishterëve të tjerë, thjesht për shkak të ndryshimeve doktrinore, të modelit të kishës ose të "përvojave". Kjo tregon se ç'pune të shkëlqyer ka arritur të bëjë Satanai në të ashtuquajturin krishtërim.

Tek Gjoni 6:38, Perëndia ynë tha se Ai zbriti nga Qielli në Tokë:

(1) Për të mohuar vullnetin e Tij njerëzor (të cilin Ai e kishte fituar, kur erdhi në Tokë si Njeri) dhe (2) Për të përmbushur vullnetin e Atit të Tij, si Njeri. Në këtë mënyrë Ai u bë shembulli ynë.

Përgjatë jetës tokësore të Jezusit - gjatë gjithë 33 vitet e gjysmë të Tij - Ai mohoi vullnetin e Tij dhe përmbushi vullnetin e Atit të Tij. Dhe Ai u tha qartësisht dishepujve të Tij se ata që dëshironin të ishin dishepujt e Tij, do t'u duhej të ndiqnin të njëjtin rrugëtim. Ai erdhi për të goditur rrënjën e mëkatit në jetën tonë - "duke bërë vullnetin tonë" - dhe për të na çliruar nga kjo.

Në botën e shkencës, për mijëra vite, njeriu gaboi duke imagjinuar se Toka ishte qendra e universit. Ajo dukej e tillë për sytë e njeriut - sepse dukej me të vërtetë dikur dielli, hëna dhe yjet rrotulloheshin rreth tokës një herë në 24 orë. U desh guximi i një njeriu si Koperniku për të vënë në pikëpyetje këtë nocion të njohur, vetëm rreth 500 vite më parë dhe të tregonte se kjo gjë ishte krejtësisht e rremë dhe se Toka nuk ishte as qendra e sistemit diellor, e jo më qendra e universit. Ai tregoi se Toka ishte krijuar për t'u përqendruar në diell. Përsa kohë që njeriu kishte qendrën e gabuar, llogaritjet dhe deduksionet e tij shkencore ishin të gabuara - sepse qendra e tij ishte e gabuar. Por, sapo njeriu zbuloi qendrën e duhur, atëherë këto llogaritje dhe deduksione rezultuan të sakta.

Pikërisht e njëjta gjë ndodh edhe me ne kur qëndrojmë "të përqendruar rreth vetes" në vend që të qëndrojmë "të përqendruar rreth Zotit". Atëherë, të kuptuarit tonë rreth Biblës dhe vullnetit të përsosur të Zotit (llogaritjet dhe deduksionet tona), do të jetë i gabuar. Por, njësoj si njerëzia ishte e bindur për më shumë se 5000 vjet se kishte të drejtë (siç pamë më lart), edhe ne mund të imagjinojmë se kemi të drejtë! Por në të vërtetë, do të gabojmë 100%.

Kjo është ajo që shohim edhe ndërmjet shumë "të krishterëve të mirë" sot. Ata kanë shumë interpretime të ndryshme të së njëjtës Bibël - dhe megjithatë secili është i bindur se interpretimi i tij është i drejtë dhe gjithë të tjerët gabohen. Të tjerët do të thonë se janë "mashtruar". Pse ndodh kështu? Sepse ata kanë gabuar me qendrën e tyre.

Njeriu u krijua që të përqendrohet tek Zoti dhe jo tek vetja e tij. Dhe kur të krishterët gabojnë qendrën e tyre, edhe "ungjilli" i tyre do të jetë i gabuar. Në thelb, ka vetëm dy ungjij që predikohen sot - njëri i përqendruar tek njeriu dhe tjetri i përqendruar tek Zoti.

Ungjilli me në qendër njeriun i premton njeriut se Zoti do t'i japë gjithçka që i nevojitet për ta bërë jetën e tij në Tokë të rehatshme dhe se gjithashtu do t'i ofrojë një vend në parajsë, në fund të jetës së tij. Njeriut i thuhet se Jezusi do t'ia falë të gjitha mëkatet, do t'ia shërojë të gjitha sëmundjet, do ta bekojë dhe do ta begatojë atë materialisht, se do të zgjidhë të gjitha problemet e tij tokësore, etj, etj.

Vetja mbetet ende në qendër të jetës së një njeriu të tillë, dhe Zoti vërtitet rreth tij - si shërbëtori i tij - për t'iu përgjigjur çdo lutjeje të tij dhe për t'i dhënë atij çfarë të dëshirojë!! Atij i mjafton që të "besojë" dhe "të kërkojë çdo bekim material në Emrin e Jezusit"!!

Ky është një ungjill i rremë, sepse nuk përmendet "pendimi". Para së gjithash, Gjon Pagëzori, Jezusi, Pali, Pjetri dhe të gjithë apostujt e tjerë, predikuan pendimin. Dhe pendimi, për fat të keq, nuk predikohet më sot, madje ka kaluar në vend të fundit!!

Nga ana tjetër, ungjilli me në qendër Zotin e thërret njeriun të pendohet. Ai shpjegon se "pendimi" do të thotë:

Kthimi NGA Vetja si qendra e jetës, nga përmbushja e vullnetit të vet, nga ecja përgjatë mënyrës së vetë-zgjedhur, nga dashuria për paratë dhe nga dashuria për botën dhe gjërat në botë (epshi mishtor, epshi i shikimit dhe krenaria e jetës), etj, dhe

Duke u drejtuar DREJT Zotit, duke e dashur Atë me gjithë zemrën e tij, duke e bërë Atë Qendrën e jetës dhe duke përmbushur vullnetin e Tij nga sot e tutje, etj.,

Besimi në vdekjen e Krishtit në kryq mund t'ia falë mëkatet një njeriu vetëm kur ai është penduar. Atëherë ai mund të marrë fuqinë e Shpirtit të Shenjtë që e fuqizon të mohojë vetveten çdo ditë në mënyrë që të mund të bëjë një jetë të përqendruar tek Zoti. Ky është ungjilli që predikuan Jezusi dhe apostujt.

Ungjilli i rremë e tregon portën të hapur dhe udhën të gjerë (është e lehtë për të ecur, sepse dikujt nuk i duhet të mohojë Veten e tij, ose të ndalojë së jetuari për interesat e veta ose të ndalojë së kërkuari përfitimet e veta). Miliona njerëz marrin pjesë në mbledhjet ku predikohet një "ungjill" i tillë i rremë. Dhe shumë njerëz hyjnë përmes kësaj porte dhe ecin përgjatë kësaj udhe, duke imagjinuar se ajo të çon në jetë. Por, në të vërtetë, ajo të çon në shkatërrim. Sidoqoftë, evangjelistët e këtij ungjilli mburren dhe raportojnë për numrin e madh të njerëzve që "ngritën duart dhe morën vendime për Krishtin" në mbledhjet e tyre!!

Por, e gjithë kjo është një mashtrim. Megjithëse disa njerëz janë konvertuar vërtet në mbledhje të tilla, për shkak të sinqeritetit të tyre, shumë "konvertuar" përfundojnë duke u bërë "fëmijë të dyfishtë të ferrit" ( Mat. 23: 15) - duke u mashtruar mbi gjendjen e tyre të vërtetë.

Ungjilli i vërtetë, sidoqoftë, e bën portën të vogël dhe udhën më të ngushtë - jo më të vogël ose më të ngushtë se ç'e bëri Vetë Jezusi, siç veprojnë disa kultistë "mbi-shpirtërorë", por në të njëjtën madhësi sa ç'e bëri Jezusi. Të paktë janë ata që e gjejnë këtë mënyrë për të jetuar. Nuk mund të raportohen shumë gjëra për evangjelistët e këtij ungjilli dhe statistikat nuk janë mbresëlënëse. Por, ky ungjill i çon njerëzit te Perëndia Jezus dhe në parajsë.

"Tregoni kujdes se si dëgjoni. Kujtdo që i bindet asaj që ka dëgjuar, do t'i jepet më shumë dritë dhe mirëkuptim. Por kush nuk i bindet asaj që ka dëgjuar, do t'i hiqet edhe ajo dritë dhe mirëkuptim që kujton se ka." (Parafrazimi i Lukës 8:18).

Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.

E drejta e autorit - Zac Poonen. Asnjë ndryshim nuk mund të bëhet në përmbajtjen e artikullit pa lejen me shkrim nga a