Ringjallja e Shtirur

Shkruar nga :   Zac Poonen Kategoritë :   Fetar apo Shpirtëror
Article Body: 

Jezusi dhe apostujt paralajmëruan vazhdimisht se ditët e fundit do të karakterizohen nga një mashtrim i përhapur dhe nga një mori profetësh të rremë (Mat. 24: 3-5, 11, 24; 1 Tim. 4: 1) - dhe ne kemi parë shumë prej tyre në dekadat e fundit.

Përse miliona të krishterë mashtrohen nga këta profetë të rremë dhe përse ndodhin këto "ringjallje" të shtirura? Dhe pse bien pre e imoralitetit dhe lakmisë kaq shumë predikues?

Ja se cilët shoh unë si disa nga shkaqet kryesore:

1. Shumica e të krishterëve sot nuk janë të vetëdijshëm për atë që mëson Dhjata e Re, sepse nuk e kanë studiuar me kujdes; dhe kështu ata ndjekin mësimet e udhëheqësve të tyre dhe jo mësimet e Dhjatës së Re.

2. Mrekullitë (dhuntitë e mbinatyrshme) janë bërë më të rëndësishme për ta sesa karakteri i tyre (një jetë e mbinatyrshme).

3. Pasuria materiale është bërë më e rëndësishme sesa pasuria shpirtërore për ta.

4. Ata nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis furisë shpirtërore ose manipulimit psikologjik dhe lëvizjes së mirëfilltë të Shpirtit të Shenjtë; shkaktare është sërish mosnjohja e Dhjatës së Re.

5. Ata nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis shërimit psikosomatik (shërimit që vjen nga qëndrimet e duhura të mendjes) dhe shërimit të mbinatyrshëm në Emrin e Jezusit.

6. Eksitimi emocional dhe shfaqjet e çuditshme fizike janë bërë më të rëndësishme për ta sesa gëzimi i brendshëm i Perëndisë.

7. Për udhëheqësit, shërbesa e tyre ndaj njerëzve është bërë më e rëndësishme sesa rrugëtimi i tyre i brendshëm me Zotin.

8. Aprovimi i njerëzve është bërë më i rëndësishëm për këta udhëheqës sesa aprovimi i Zotit.

9. Numri i njerëzve që marrin pjesë në mbledhje është bërë më i rëndësishëm për këta udhëheqës sesa nëse ata njerëz janë plotësisht të përkushtuar ndaj Krishtit.

10. Ndërtimi i mbretërive të tyre personale dhe perandorive të tyre financiare është bërë më e rëndësishme për këta udhëheqës, sesa ndërtimi i një kishe lokale dhe të bëhen shërbëtorë në atë kishë lokale (Jeremia 6:13).

E gjithë kjo bie SHUMË NË KUNDËRSHTI me atë që na ka mësuar Jezusi. E kundërta e Krishtit quhet "anti-Krishti" në Dhjatën e Re. Nëse të krishterët nuk e shohin qartë këtë, atëherë kur Antikrishti të shfaqet në skenën e botës, me shenjat dhe mrekullitë e tij të rreme ( 2 Thes. 2: 3-10), atëherë ata do ta pranojnë verbërisht. Të udhëhiqesh nga Shpirti i Krishtit do të thotë të kesh një frymë tërësisht të kundërt me atë që përmendet në pikat e mësipërme.

Më poshtë gjeni një parafrazim të fjalëve të Jezusit tek Mateu 7: 13-27 (lexoni në kontekstin e Kapitujve të Mateut nga 5 deri 7):

"Si porta, ashtu edhe udha për në JETËN E PËRJETSHME janë shumë të ngushta - siç e kam përshkruar (Mat. 5 deri 7). Por do të shfaqen profetë të rremë dhe do t'ju thonë se porta dhe udha nuk janë të ngushta, por të lehta dhe të gjera. Ju do të jeni në gjendje t'i identifikoni ata lehtësisht duke vëzhguar frytin e karakterit të tyre: A bëjnë ata një jetë të çliruar nga zemërimi, pa epsh për gratë, të çliruar nga dashuria për para dhe pa kërkuar me ankth pasuri materiale (siç kërkojnë njerëzit e kësaj bote)? A predikojnë ata kundër këtyre gjërave, siç kam bërë unë këtu? ( Mat.5: 21-32 dhe 6: 24-34). Këta profetë të rremë mund të ushtrojnë shumë dhunti të mbinatyrshme dhe të bëjnë mrekulli dhe në të vërtetë të shërojnë njerëzit në Emrin Tim, por unë sidoqoftë do t'i dërgoj të gjithë në ferr ditën e fundit, sepse ata nuk më njohën Mua (si HYJIN) dhe ata nuk u shkëputën nga mëkati në jetën e tyre private (Mat.7: 21-23). Prandaj, nëse dëshironi të ndërtoni një kishë mbi një shkëmb që nuk do të lëkundet kurrë, ose nuk do të bjerë në kohë ose në përjetësi, jini të kujdesshëm dhe bëni gjithçka që sapo ju thashë (Mat. 5 deri në 7) dhe mësoji popullit tënd të bëjë gjithçka që edhe ju kam urdhëruar. Atëherë Unë do të jem me ju gjithmonë dhe autoriteti Im do t'ju mbështesë gjithmonë (Mat. 28: 20, 18). Por nëse thjesht dëgjon këto që them dhe nuk i vë në praktikë, atëherë ajo që ndërton mund të duket si një kishë e madhe dhe mbresëlënëse për njerëzit, por me siguri do të shembet dhe do të bjerë një ditë (Mat.7: 25)."

Atëherë, si të ndërtojmë një kishë të palëkundshme në ditët e fundit?

1. Ne duhet ta jetojmë predikimin në mal (Mateu 5 deri në 7) dhe ta predikojmë atë vazhdimisht.

2. Ne duhet të jetojmë në besëlidhjen e re dhe jo në besëlidhjen e vjetër. Për këtë, ne duhet ta dimë qartë ndryshimin midis dy besëlidhjeve (2 e Kor. 3: 6). Ne duhet gjithashtu të predikojmë besëlidhjen e re.

Kur predikuesit bien në mëkat të rëndë në ditët e sotme, ata e justifikojnë veten (dhe gjejnë ngushëllim) me shembujt e shenjtorëve të Dhjatës së Vjetër, të cilët gjithashtu ranë pre e mëkatit. Dhe më pas, nisin sërish shërbesën e tyre pas një periudhe heshtjeje. Ata citojnë shembujt e Davidit që bëri kurorëshkelje, dhe të Elijas që ra në depresion, dhe ata thonë "Por Perëndia vijoi t'i përdorë"! Por ata nuk citojnë shembullin e Palit i cili jetoi në fitore dhe pastërti deri në fund të jetës së tij.

Këta predikues (dhe shumica e të krishterëve) nuk kanë parë se shenjtorët e Dhjatës së Vjetër NUK janë shembujt tanë sot. Në këtë epokë të lavdishme, neve na është dhënë shumë më tepër - dhe "atij qëi jepet më shumë, i kërkohet më shumë" (Luka 12:48). Jezusi është Ndërmjetësuesi i një besëlidhjeje të RE dhe sot, Ai është Shembulli ynë dhe Autori i besimit tonë - jo Davidi ose Elija. Dallimi midis shenjtorëve të Dhjatës së Vjetër (të listuar në Hebrenjtë 11) dhe Jezusit, bëhet shumë i qartë në Hebrenjtë 12: 1-4. Por shumë pak jetojnë në realitetin e kësaj. Shumë pak kanë parë që "Perëndia ka siguruar diçka më të MIRË për ne" në besëlidhjen e re (Heb. 11: 40).

Çdokush nga ne mund të bjerë pre siç kanë rënë shumë predikues, nëse nuk tregohemi vigjilentë dhe të kujdesshëm - sepse Satanai është një armik dinak. Ne do të jemi të sigurtë nëse i bindemi dhe e mësojmë saktësisht Dhjatën e Re, si edhe t'i nënshtrohemi udhëheqjes së perëndishme. (Dhe me udhëheqje "të perëndishme nënkuptoj ata që nuk kanë as edhe një nga vlerat e gabuara të renditura në dhjetë pikat e përmendura më sipër). Nëse mësojmë nga gabimet e të tjerëve, ne mund të shmangim që t'i bëjmë vetë të njëjtat gabime.

Prandaj, le të qëndrojmë të përulur përpara Perëndisë në çdo kohë - sepse aty do të marrim zbulesë Hyjnore, siç bëri Gjoni (Zbul. 1: 17). Nëse tregohemi të përulur, do të kemi lavdinë për të qenë të pamposhtur (1 Pjet. 5: 5). Dhe kur Shpirti i Shenjtë të na tregojë të vërtetën në Fjalën e Perëndisë dhe të vërtetën për veten tonë, le të jemi plotësisht të sinqertë dhe "ta duam të vërtetën, në mënyrë që të shpëtohemi" nga çdo mëkat. Në këtë mënyrë, Vetë Perëndia do të na mbrojë nga çdo mashtrim (2 Thes. 2: 10,11).

Amen!

E drejta e autorit - Zac Poonen. Asnjë ndryshim nuk mund të bëhet në përmbajtjen e artikullit pa lejen me shkrim nga autori.